Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Enver SAHTI

PLAGËT E PORTËS SË LASHTË

——————————————-

Në portën e lashtë të vendit tim

era ende ledhaton gurët e lodhur,

tek rrëshqet mbi gjurmët

që koha i ka çarë si plagë të hapura.

Aty kanë kaluar shekuj njerëzish,

me duar të mpira nga hallet,

me sytë e lodhur nga shpresa —

disa lanë buzëqeshje,

të tjerë dhimbje.

Porta rënkon natën ngadalë,

sikur flet me hijet e saj,

rrëfen plagët që s’i sheh kush,

veç atyre që dinë të dëgjojnë.

E megjithatë, çdo mëngjes

ngrihet e qëndron si rojë e pathyeshme,

sepse edhe plagët më të thella

bëhen dritare për një botë të re.

Nëpër to kaloj dhe unë sot,

me vargjet që shkruaj për të mos harruar,

se çdo portë e lashtë mban brenda

një zemër që ka mësuar të durojë.

/QendraPress/