“Gjendje alarmante”, Totaj: Lagjet në Prizren kanë mbetur pa rrymë që 2-3 ditë.

Kryetari i Prizrenit, i cili fitoi edhe një mandat të ri në krye të komunës, Shaqir Totaj, ka folur për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike në këtë qytet dhe rrethinë.
Ai në emisionin “Fol me Arin” tha se ka lagje dhe fshatra që kanë mbetur pa rrymë për dy deri në tri ditë, duke e cilësuar situatën si alarmante, sidomos në një kohë kur çmimi i energjisë është i lartë. “Jo vetëm nga 24 orë, por ka edhe lagje e fshatra që kanë mbetur pa rrymë për dy deri në tri ditë. Përveç që energjia është shumë e shtrenjtë, mungesa e saj është një gjendje alarmante. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e performancës së kësaj qeverie, e cila, sipas meje, është në ikje. Kemi fshatra që kanë mbetur pa rrymë për dy-tri ditë, por edhe lagje brenda qytetit. Për këtë arsye, jemi detyruar t’i anulojmë edhe disa tubime elektorale për shkak të mungesës së energjisë elektrike”, deklaroi Totaj. /Klankosova.tv