Çaste poetike me poeten;-Migel FLOR

Epope e Re
——————–
Iku dielli sot,
e prapë doli reja.
M’u kujtuan vargje
nga epopeja.
Vargjet.bëra gjalmë
në bashkim të treja
ndryshe veza rrufkë
ndryshe kokër-veja
Akoma jetojnë
ushtarë si të Ballit,
për pak dhjamë më shumë
shesin nderin e djalit.
Shpirtin në djall,
pa cipë në taksë,
të tillë “kombëtarë”
artistë pa shtat.
Mall biznesi vargjet
Në duar të pista
Sheshet për fakirët
Për fat-xhepët pista
I pashë aty,
dervenë më dervenë,
në vend të artit
një kafe me enë.
Vështirë të lexojnë
atë që ke shkruar,
i vogël u duket
libri në duar.
Edhe pse të majmur,
bëjnë iso në këngë,
kanë mbetur në “maja”,
dhe këndojnë rëndë.
Ata e kanë shkopin,
ata dhe litarin:
“Bëj si them unë,
mos e ndiz fanarin!”
Shkruaj sa të duash
veten merr në qafë,
s’e vë dot përballë,
si gjilpërë në kashtë.
Në legenë të gjerë
kockat u janë ulur,
tundi sa të duash,
s’i ke për t’i shkulur.
Eja, o Shefqet,
shkruaj Ballin tjetër,
s’arrijnë më fjalët,
as laps e as letër.
Thuaju si bëhet
muaji i Ramazanit,
në Zot përgjërohu
te balli i kazanit.
Të ngrënë e të pirë
këtu është çudia
mish janë të majmurit,
kockë – poezia.
Maje gradaçelës
këndojnë e thonë këngë,
si këpuca e tyre
të shkel më rëndë.
Kurrizin ia bënë rrugë
pa takt fukarasë,
me puro në buzë
bërtasin për masën.
O poet i shkretë,
nga tymi i nxirë
në mjegull po ecën
me shikim të fryrë.
Munduar të shumtët,
në halle të kredhur,
gjak u janë shputat
nga ecja e tredhur.
S’di ç’më gjeti sot
u putha me retë,
kujtova, o miq,
dhe unë epopetë.
Asnjë dorë s’di
të thotë të vërtetën;
të gjithë, dy me dy,
do shkojmë në botën tjetër.
S’ma ndien fare
nëse syrgjinosem sot,
varrosur më kanë
që kur rashë në botë.
Në anë të dynjasë
të lumtur më quajnë,
të paktët që mbetën
i kthyen në kuaj.
Kalorësit kurrizin
ua bënë shoshë,
pak thërrime për shpirtin
trok që ecën bosh.
Se mbaj mend mirë
si ishte epopeja,
në strofa e vargje
pse u dergj ideja.
Atë që di mirë:
të vërtetën e brishtë
ka “ballistë” sot
pa Allah e Krisht.
Miliona u hodhën
për kisha e minare,
por Zot që t’i ndalë
nuk ka askund fare.
Dhe esëll po shkruaj,
pa pirë as kafenë
për dreq më kujtuan
gota dhe enë.
Shefqetit iu fala
të shkruaj prapë,
epopenë e re
për këta satrapë.
Fundi le të bjerë
e thashë fjalën time,
edhe pse çdo herë
mbetet jetime.
Jetime jam dhe unë,
njeri pa atdhe,
e huaj këtu,
e pavlerë atje..
Do pëllas sa të dua
në daçi dëgjoni
jam kalë pa patkua,
jam stuhi Joni.
Jam rrymë Kakomeje
që vendosi të flasë
po të doli përpara,
detin do ta plas.
Edhe nëse s’mbytesh,
një dallgë të vret,
stuhitë e mëngjesit
të mbërthejnë në vesh.
Rruhu nga fundi
i plakës së Marsit,
thurr shtrëngata mbytjesh,
jo pelhurë mëndafshi
Jam bijë trimëresh,
me damar çame,
e shkruaj epopenë
me vraka e tumane.
Jam fjalë e lirë,
kokëfortë, e shkretë
harroji poezitë,
por jo epopetë.
Migel Flor
/QendraPress/