Çaste poetike me poeten;-Shqipe BYTYÇI

KËMBËZBATHUR, N’ÇORAPE T’LESHTA

—————————————————-

Si pa kokë, në rrugë t’madhe

truell e zemër, mbrapa lënë

tym, të shtëna, lemeri

Unë, shpirtvrarë

n’çorape t’leshta

“Prit,” thotë im shoq

kthehet prapa, tutje n’shtëpi

N’prag të shtëpisë

n’t’zeza veshur, të trishtë, të pështirë

shpirtdjaj në valle morti

krahësh e mbërthejnë

disa nga ta, fqinj e t’njohur mirë

Me këpucë t’mia, im shoq n’dorë

“Ik, shpëto ti”

Gjaku m’ngriu

këmbët n’dhé

fryma n’grykë m’u lidh nyje

Britma ime, krejt e çjerrë

Hije t’zeza, sa shpejtë ofrojnë

tallje perverse, ndjekje djajsh

Fqinji në krye të hordhisë

duar të zgjatura

zgërdhosje t’jargosura

“Ik, ik…”

Një krismë e zonuar në shtëpi

pastaj edhe një

dhe ra qetësi…

E unë… s’nxjerrë dot zë

i tëri i shtjerrë

Truell e zemër, mbrapa lënë

tym, të shtëna, lemeri

Mars i acartë, kudo borë

Unë, shpirtvrarë

n’Tiranë, pata aguar

S’mbaj mend si

me çorape t’leshta

n’dorë fort shtrënguar

zë e shpresë, krejt shterruar

(Ne përvjetorin e eksodit, debimit te Remzije Deçanit

dhe vrasjes se burrit saj, Rexhep Deçani, në pragun e

 shtëpisë nga fqinjët i tij, paramilitar serb, më 26 mars 1999)

/QendraPress/