Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sami MULAJ

Ike në dimër o Babë !
—————————–
Ike në dimër,
e borë binte pa nda,
mollat n’rrem t’merrdhime,
u banë me kapuç t’bardhë
tani nuk ka kush ti qaj,
se mbeten atje
pa pas fëmijë t’i gjuj me gurë,
si zogjtë morën dete
pa i çukitë hala.
Gurra në oborr,
me frymen zanë prej akulli,
currilin gati e ka nda,
tani akullin s’ka kush
t’ja thej,
sytë e tu,
nuk vijnë aty n’sabah
ma me u la.
Pranvera kur mrrini,
e kumbllat nisën t’lulojnë
te prroni që gurgullimën ka tha,
manat prapë u poqën,
gjinkallat nuk pushojnë,
britmën mbajnë pa e nda,
e t’i baba jem,
as s’ke ndie kurrgja,
e kurrgja as nuk ke pa.
Me sytë nga bjeshka,
në ftyrë ndjeva erën e saj,
nën strehë të oborrit,
samari i dorisë,
sikur më tha diçka…
hajde preki shpatzat e mia,
duart e ti,
këtu janë hala…
hingëllimin e gëzuar të kalit,
kur e prekte baba ndjeva,
edhe pse prej shume vitesh
nuk hingëllin ma.
Tuj mendue,
kokë ultë e me sytë përdhe,
të nxehtin e diellit
edhe pse prush,
nuk e desha
se ai ma nuk më nxeh.
Me xhaketën mbi supe,..
kthej kryet prej vorreve…
as vera, as vjeshta,
as stinët nuk janë njëlloj ma,
qysh kur t’i je atje
i ngrimë në atë dhe…
/QendraPress/