Çaste poetike me poeten;-Shqipojna Arshi VEIZAJ

Kujtesë…
——————-
Atë mbrëmje, në buzën e detit,
dielli po ulej ngadalë në perëndim,
dhe psherëtimat e mia endeshin
mes copëzave të arta të rërës.
Sa shpejt më kuptuan ato,
se zemrën e kisha të vrarë.
Me dashuri i përkëdhela,
e mbi to shkrova emrin tënd…
Uji ledhatonte rërën lehtë,
bashkë me duart e mia të dridhura.
Rrezet e diellit shtriheshin thellë në det,
dhe puthnin valët ngadalë… ngadalë…
Një butësi e ëmbël shpirtin ma pushtoi,
sa shumë doja buzët e tua t’i shijoja.
Këtë mrekulli doja ta ndaja me ty,
të të kisha pranë, të më shihje drejt në sy.
Por dielli u fsheh,
dhe natën na e la neve.
E vetme jam ende…
veç në kujtesë ti je.
Yll që më përgjon nga larg,
hënë e qetë që më rri mbi kokë.
Sa do të doja të vija tek ti,
e pranë teje të flija e qetë.
Të shihnim ëndrra dashurie së bashku,
ato ëndrra që zemrën ma tresin ngadalë…
/QendraPress/