Çaste poetike me poetin;-Miftar TËRSHNJAKU

Mall për vendlindjen
—————————-
Oh, sa kam mall të jem në vendet e mia,
Ku me shekuj lulëzoi Iliria,
Ku me lahutë trimat mbi maja e shkrepa
Këndonin me zemër këngë të vjetra.
Atje ku shqiponjat qëndrojnë mbi shkëmb e gur,
Ku valon krenar një flamur,
Atje ku jehon fjala shqiptare,
Atje ku vallëzohet vallja opojare.
Në vendet e mia ku pata qëndruar,
Ku me ujë etjen pata shuar,
Atje më shkon mendja ditë e natë,
Ku me shokë mësuam së bashku në klasë.
Ah, vende të bukura që i ëndërroj çdo natë,
Fusha me dele e qengja që vijnë pas,
Lumi me ujë të kthjellët e të kulluar,
Mbushur me fëmijë të lumtur e të gëzuar.
Më mungojnë livadhet me lule në pranverë,
Era e maleve që fryente herë pas here,
Më mungon cicërima e zogjve në agim,
Që zgjonte zemrën fare pa përtim.
Më mungojnë odat me fjalë burrërie,
Këngët e vjetra me fjalë trimërie,
Besa shqiptare që s’njihte tradhti,
Dhe dashuria për tokën e lirë.
Kur mbyll sytë, më shfaqet ai vend,
Me male e fusha që i kujtoj me mend,
Dhe lutem që një ditë prapë të jem në atë vend,
Pranë vendlindjes sime, pranë Plavës së shenjtë.
Amb. Miftar Tërshnjaku
/QendraPress/