Fryma poetike e së dielës me poeten:- Teutë Bajraktari CAKAJ

Netët me shi

——————————–

Shiu bie pa ngut.

Pikat përplasen në rrugë

dhe humbin menjëherë,

si shumë gjëra

që kaluan nëpër mua.

Asfalti i lagur

mbledh dritën e hënës

dhe e kthen prapë,

të ftohtë, të qetë,

pa premtuar asgjë.

Në net të tilla

kujtesa vjen vetë.

Pa trokitur.

Ulet pranë meje

dhe hap sirtarë

që diten i mbaj mbyllur.

Shiu i di të gjitha.

Ai i njeh dhimbjet

që zemra i mban fshehur,

i njeh mungesat

që nuk shqiptohen me zë,

i njeh pritjet

që vdesin çdo mbrëmje

tek pragu i derës.

Ndonjëherë mendoj

se Zoti e krijoi shiun

që njerëzit e fortë

të qajnë pa turp.

Dhe hënën…

që ata që janë thyer

ta kenë një dritë

mbi errësirën e tyre.

Prandaj unë i dua netët me shi.

Sepse në to

mund të jem vetja pa maskë,

mund të flas me kujtimet,

mund të përqafoj mungesën,

mund të qaj pa u dukur,

dhe të shoh si hëna

ma ndriçon plagën

pa më pyetur asgjë.

Ka net kur qielli qan…

dhe unë ndjej

se më në fund

dikush më kupton

/QendraPress/