Fryma poetike e së dielës me poeten:-Ajne IBËRHYSAJ

LOTI U THA

——————————–

Dhimbja ime flet për Trojën
unë qaj sa herë e marr ndër mend
ajo flet për vdekjen.

E shoh në sy
më lër t`ia puth duart
mos ma vrit trupin
unë nuk pata mëshirë për veten time
kur t`u dorëzova
isha e marrë.

Tash plagët i mbështjell me hirin vetmisë
mos më shigjeto me njërin sy
mos më harro më shumë
mjafton një plagë për trupin tim
mjafton një klithmë shpirti.

Vdekja është përqafim
i padukshëm
mos prit Priam
të ta puth dorën
unë përqafoj stuhinë e murrlanit
për të shpëtuar një nënë.

Vaji i djepit më shemb shtatë pashë nën dhé
buzëqeshja e një vajze si e imja
në qiell si një flutur
rri e vallëzon me retë.

E di
aty je ti
unë jam ende në tokë.

Hektor mos ik
rrugë tjetër nuk ke
më mbro.

E di
Akilin e rrëmbejnë petalet e trëndafilave
por gjembat e tij
më janë ngulitur në trup.

Kjo nuk është tradhti
e shikova në sy
e vërejta atë trishtim
që flet më shumë se këto fjalë.

Me dy sytë
e pashë diellin kah përmbytet
dashuria kishte vrarë një të ri

Akili ishte ringjallur
lufta u bë edhe më e egër.

Kjo kohë nuk i ngjan asnjë stine
s`di çka të bëj më shumë
mbi plagët e Trojës
e derdha edhe një varg për ty.

Pse po ik Hektor
unë ende jam këtu
bashkë me hijen time
kot Priami po i shtrydhë retë
për një rigë shi
loti u tha

Çfarë po ndodh kështu
Troja ime e nuk përtyp dot fjalën
ajo nuk shkel mbi hirin e gjakut
as nuk e përpin turpin tënd.

/QendraPress/