Raporti gjashtë mujorë i Punës – Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren 2026

                       Lidhur me raportin 6 mujor të Punës  nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit toger Shaqir Bytyçi, njofton se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, 13 korrik 2026, ka prezantuar raportin gjashtëmujor të punës për gjysmën e parë të vitit 2026, që mbulon periudhën kohore nga 1 janar deri më 30 qershor 2026. Takimi u udhëhoq nga Drejtori Rajonal, Kolonel Faton Alija, në prani të zëvendësdrejtorit, Nënkolonel Lulzim Shala, si dhe eprorëve rajonalë të stacioneve dhe njësive policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

Takimin e hapi Drejtori Rajonal, Kolonel Faton Alija, i cili prezantoi objektivat strategjike të gjashtëmujorit, duke theksuar:

• Ofrimin e sigurisë publike dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe forumet e sigurisë.

• Zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2026–2030.

• Rritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.

• Parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, me fokus të veçantë në luftimin e dhunës në familje.

• Si dhe objektiva të tjera të rëndësishme për sigurinë e përgjithshme.

Fillimisht u prezantuan rezultatet dhe të arriturat për tërë rajonin, si dhe ngecjet e evidentuara, ndërsa më pas secili stacion dhe njësi policore paraqiti raportin gjashtëmujor përkatës.

Në raport u theksua se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë shënuar disa të arritura dhe rezultate pozitive, por gjithsesi në disa fusha ka nevojë për përmirësime. Krahasuar me vitin 2025, është evidentuar një ngritje prej 7.9% e numrit të veprave penale, por njëkohësisht është shënuar rritje e zbulueshmërisë nga 67.4% në 69.3%. Policia e Prizrenit ka realizuar gjithsej 385 operacione policore dhe ka sekuestruar 50 armë, duke shënuar një ulje prej 19.4% krahasuar me vitin paraprak – një trend që mund të konsiderohet pozitiv.

Rezultatet e arritura përfshijnë:

• Ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

• Sigurinë në shkolla.

• Menaxhimin e komunikacionit dhe parandalimin e aksidenteve.

• Menaxhimin e situatave emergjente.

Gjithashtu, është theksuar se ka pasur një ngritje të zbulueshmërisë së veprave penale dhe incidenteve, duke arritur në 79.4% në vitin 2026, krahasuar me 77.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 – një rritje pozitive që dëshmon përmirësim të efikasitetit.

Në raport u përmend se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar tre raste vrasjesh, por kryesit janë arrestuar dhe dorëzuar organeve të drejtësisë. Me rëndësi të veçantë u theksua fakti se në rajonin e Prizrenit prej vitesh nuk ka pasur asnjë rast vrasjeje me kryes të pazbuluar, duke dëshmuar efikasitetin e Policisë në ndriçimin e rasteve të rendë/QendraPress/