Çaste me poetin;Muharrem ELEZKURTAJ

Rruga e mbarë, Dalan, Arditë,
Hektor, Unik e Etik!
—————————————–
S’kam çka t’ju jap me vete…
Sot u bëra i varfër shumë.
Lotët s’mund t’i merrni dot,
ju rëndojnë sa një lumë.
Zemrën duhet ta mbaj për vete,
për t’u përballur me mallin,
me vetminë e me fajin.
Shpirtin po jua jap,
por s’di a ju duhet…
shumë është i vrarë.
E mendjen do ta ruaj
për t’i numëruar ditët
në kalendar.
Me vete po jua jap
një grusht dhe…
Sa herë të ligështoheni,
forcën aty do ta gjeni.
Sa herë të ndiheni të vetmuar,
shpresën për t’u kthyer
aty të mbjellë do ta keni.
Edhe këtë trastë merreni me vete,
për hatrin tim.
Me ca libra shqip të mbushur do ta keni.
Sa herë t’ju marrë malli
për gjyshin e gjyshen,
hapeni trastën…
dhe mes atyre faqeve
aromën tonë do ta ndjeni
/QendraPress/