Çaste poetike me poeten;-Mirevete Kabashi LEKU

GURBET – PLAGË E PASHËRUAR

—————————————-

Ikin mërgimtarët,

shtëpia mbetet pa zë.

Edhe dyert heshtin

e muret përqafojnë jehonën

e hapave që sapo u tretën në udhë.

Në çdo qoshe mbetet një buzëqeshje,

një filxhan i paprekur,

një fjalë e lënë përgjysmë…

Dhe malli nis të endë

fijen e tij të padukshme nëpër zemra.

Nëna i përcjell me buzëqeshje,

por lotin e fsheh në shpirt.

Në udhën e tyre të gjatë

ajo lë një copë zemre,

si një kandil që digjet pa u shuar,

duke u lutur për çdo hap të tyre.

Gurbeti mund t’i largojë bijtë nga pragu

por, kurrë nuk ua shkul rrënjët.

Në zemrën e tyre jeton përherë

toka ku hodhën hapin e parë ku thithën ajrin e vendlindjes e shijen e bukës, nga duart e arta të nënës…

Udha e mbarë u qoftë kudo që shkojnë!

Shëndeti, mbarësia dhe dora e Zotit i shoqëroft në çdo rrugëtim.

E ne, nënave,

Zoti na faltë durimin,

na forcoftë zemrën,

që kujtimet e ditëve të bukura

të bëhen dritë në pritjen tonë,

derisa dera të trokasë sërish

e malli të shkrihet në përqafim.

Prizren, 5. 9. 2026

/QendraPress/