Çaste poetike me poetin;-Sylejman KELMENDI

Sonte
————————–
Unë dhe miku im
Shpalosim këngët e trimërisë
Unë dhe miku im
Endim gishtërinjtë e përgjakur
Në telat e ndryshkur të çiftelisë
Çiftelitë luhaten në duar
E telat s´pushojnë nën gishtërinj
Bien me ritmin e historisë
Sonte ia kemi vjedhur këngët rapsodit
Me gjurmët e lirisë
I kemi zgjuar stuhitë e plakura të motit
Jemi veshur me fustanellat e bardha
Dhe u këndojmë atyre që pushojnë
Amshueshëm në digat e dashurisë
Thellë në zemrën e ngrohtë të truallit
Mbi baladat e bukura të Arbërisë
/QendraPress/