Fryma poetike e së dielës me poetin;-Imer HYSA

PER TY VAJZE LAÇIANE.

————————————-

Kur del ti, hëna xhelozon me lot e lëngata

Pas maleve gjithë turp fshihet, i vjen rëndë,

Nga marazi kërkon tej reve të mëndafshta

Të të shohë ty tinës, me syrin e argjendtë.

Kur del ti, buzëmbrëmjes xixëllonjat ndalen

Nuk e luajnë dot vallëzimin e tyre të dritës,

Magjepsen para bukurisë tënde, vajzë laçiane,

E llambushkat harrojnë të ndezura gjatë ditës…

Madje, sa herë del ti, mëngjeseve pranverore

Bilbilat këngën e bukur e ndërpresin në mes,

Para teje befas edhe lulet turpërohen prore

Dhe bari i njomë sakaq drithërohet nën vesë.

Kur del ti, kalimtarët ndalin hapin rrugës,

Dhe të shohin vjedhurazi me bisht të syrit.

Poetët, vargje mahnitëse mërmërisin buzës

Piktorët, stërmundohen të zgjedhin ngjyrat.

Kur del ti, me trup e shpirt derdhur bukurisht

Si shtojzavallë e vendlindjes sime të shenjtë,

Djemtë e kuptojmë që qyteti vlen shumëfish,

Pasi në të artë ia kthen, çdo dritë të argjendtë…

/QendraPress/