Kryeprokurori i Shtetit viziton Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Prokurorinë

Themelore në Gjakovë

Prishtinë, 23 tetor 2026 – Në vazhdën e vizitave nëpër prokuroritë e vendit, Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, z. Bahri Hyseni dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, z. Sami Istrefi, sot ka qëndruar në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Fillimisht, Kryeprokurori i Shtetit i njoftoi prokurorët e prokurorive respektive me veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve.   

Në anën tjetër, në fokus të diskutimeve profesionale ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit me prokurorët e këtyre prokurorive ishin rezultatet e punës, ngarkesa me lëndë, mungesa e numrit të prokurorëve në këto prokurori, si dhe sfidat tjera reale të cilat ndikojnë në efikasitetin e trajtimit të rasteve penale, veçanërisht sfidat që kanë të bëjnë me vonesat e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).

Lidhur me këtë çështje, Kryeprokurori Gashi theksoi se shqetësimet lidhur me vonesat në kryerjen e ekspertizave i ka adresuar në institucionet përkatëse, respektivisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke shpresuar që këto problematika të ngritura do të marrin trajtimin e duhur institucional. 

Në fund, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë, profesionalizëm dhe rezultate të matshme në trajtimin e rasteve që bien në kompetencë të tyre, duke iu ofruar mbështetje profesionale dhe institucionale gjatë punës në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.