Aksion për pastrimin e deponisë ilegale mes lagjeve “Tusus” dhe “Bajram Curri” në Prizren

                        Drejtoria e Shërbimeve Publike ka ndërmarrë një aksion të menjëhershëm për pastrimin e një deponie ilegale të mbeturinave mes lagjeve Tusus dhe Bajram Curri në Prizren.

Sipas njoftimit të komunës, ekipet e angazhuara janë duke përdorur makineri të rënda dhe mjete të specializuara për të larguar mbeturinat e hedhura në mënyrë të pakontrolluar. “Po punojmë intensivisht për ta rikthyer pastërtinë dhe për ta eliminuar ndotjen e shkaktuar nga kjo deponi ilegale”, thuhet në njoftim. Komuna e Prizrenit ka apeluar tek qytetarët që të ndalojnë hedhjen e mbeturinave në vende të palejuara dhe të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit. “Çdo ndotje e tillë jo vetëm që dëmton pamjen e qytetit, por edhe rrezikon shëndetin publik dhe biodiversitetin natyror. Së bashku mund ta mbajmë Prizrenin të pastër!”, theksohet në njoftim.