Çaste poetike me poeten ;-Arbana ARBA

Midis dy dritareve
————————-
U zgjova,
qepallat zbuluan siparin e dritës.
Mëngjesi, as sot, nuk mori leje për të ardhur.
Kuptova se isha liruar prej prangave të përgjumjes,
duke u gjendur befas pranë dritares.
Zvarrita ngadalë perden,
nuk doja të zgjoja qetësinë e dhomës
nga heshtja e natës.
Vështrimin ma përvodhi të tërin
dritarja jote.
Asnjë rreze drite
nuk po i ndryshonte ngjyrën
perdeve të mbyllura.
“Po fle,” – e binda veten,
“nuk po e zgjoj.”
Ndoshta po sheh një ëndërr të bukur.
U ktheva;
fletën e xhamit e lashë hapur.
Era m’i përkundi lehtë mendimet
në dallgë kënaqësie dhe freskie.
Iu drejtova shtratit.
“Të fle dhe pak,” – mendova.
Po jo.
Koha e ëndrrave kishte shkuar.
Dita e re po më thërriste.
/QendraPress/