Çaste poetike me poeten;- Elvira ZENELI

NË KRAHËT E TU, O ERË VJESHTE

———————————————–

Në krahët e tu më merr, o erë vjeshte,

mbi male, mbi liqene, mbi dete,

le të përplasen dallgët në stuhi,

unë forcën dhe vullnetin i mbaj në gji.

Në thellësi të shpirtit, në thellësi të zemrës,

kam një zjarr që s’e shuan asnjë erë e jetës,

e pamposhtur nga vuajtja, nga plagët e dhimbjes,

ec përpara, e lirë, në udhët e shpresës.

Më merr me vete, të lutem, o erë vjeshte,

kur mes reve të dendura të ngjitesh në qiell,

me duar t’i largoj shtëllungat e mbledhura,

t’i hap udhë kaltërsisë, t’i jap frymë diellit.

Me besim e shpresë gjithmonë mund të fitosh,

edhe me hënën në qiell mund të vallëzosh,

se ai që guxon përtej reve të shkojë,

edhe në terrin e natës një agim do të zgjojë.

Më merr në hapësirat e pafundme të kaltërsisë,

majave të maleve dua t’u jap përqafimin tim,

të fluturoj me shqiponjën mbi shkëmbinj të lartë,

mbi lugina të thella, ku qielli s’ka kufi.

Jam pilote dhe kapitene besnike e jetës,

timonin e mbaj fort, edhe kur deti tërbohet,

nuk rri si manekinë pas xhamave të botës,

unë zgjedh të fluturoj, edhe kur qielli rrëzohet.

/QendraPress/