Çaste poetike me poeten:- Lola SHEHI

RRËFIM
———————
Përse mendohesh baba!
Ç’peng të ka mbetur.
Të ka mbetur peng që nuk u bëra aktore?
Që s’më pe në skena të luaja ndonjë rol?
Kaq shum e dëshiron një rol timin?
Mos u brengos baba!
Po të rrëfehem…
Kam luajtur shumë role
Vetëm në një skenë…
Më kanë parë mijëra sy
Vetëm ty nuk ta rezervova kurrë një biletë
Nuk të kam dashur spektator baba!
Sepse kam kënduar,
Kur kam dashur të qaj.
Kam thënë jam e fortë,
Kur gjunjët s’më mbanin.
Kam ecur me trupin drejt,
Kur shpina po më këputej.
Kam qëndruar majëtakash,
Kur në fakt doja të ecja zbathur
Që guralecët e rrugës të më hapnin plagë nën këmbë.
Se vetëm ashtu baba,
Nuk do i ndjeja dhimbjet e shpirtit.
Ja, baba!
T’u rrëfeva!
Jam aktore klasi
Aktroj para teje
Aktroj para gjithë botës
Sistematikisht çdo ditë të vitit
Interpretoj role pa skenarë e regjisorë
Psherëtij
Qaj
Qesh
Këndoj
Me partiturat e pashkruara të shpirtit!
Mos më mbaj peng, baba!
/QendraPress/