Çaste poetike me poeten;-Lola SHEHI

MALL E ANKTH

Një këngë e hershme më fle mes buzësh
E buzën keqas ma përflak
Një mall i largët më fle qerpikësh
Shikimin syve ma bën gjak.

Një makth i beftë seç ma prish gjumin
E zemrën pupël peshë ma çon
Gjunjët më priten s`kaloj dot lumin
Ku ëndrra shtrigë më dërgon.

Një zogth i vogël përmbi parvaz
Çukit ëmbël e m`zgjon nga gjumi
Kënga e tij më bën të ngjas
Si degë shelgu breg një lumi.

Ëndrra më merr n`krahët e saj
Njëherë më puth, pastaj më flak
Më angështon mall i paskajë
Që rend ta kap…po më bën zap.

/QendraPress.com/