Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Përtej plagës, jam dritë që s’shuhet

———————————————

Të jesh, jo vetëm njeri, por shpirt

 që nuk pranon të shuhet,

një frymë që s’ka mësuar të dorëzohet

edhe kur qielli është pa yje e toka pa udhë.

Kam folur me heshtjen, kur fjala më kishte tradhtuar,

i kam dhënë zemrës një arsye të rrahë

kur edhe pasqyrat nuk më njihnin më.

Kam qenë vetë stuhia që më thërrmonte,

kam qenë edhe dora që më mbante gjallë.

Në grykën e humbjes kam zbuluar fuqinë

të rilind, pa zë, pa lavdi, veç me veten.

I kam falur ata që deshën të më thyejnë

sepse më mësuan si të bëhem e pathyeshme.

Kam qarë nga brenda, pa pikë zhurme,

e bota kurrë s’e kuptoi se sa shumë mbaja brenda meje.

E pathyeshme…

është të jesh asgjë e gjithçka në të njëjtën kohë,

të ndërtosh veten mbi rrënojat e vetvetes

e të ecësh,

sado plagë të ketë në hapat e tu.

**********************************************

Përtej plagëve jam e pathyeshme

Përtej plagëve jam e pathyeshme,

jo se s’kam rënë, por sepse jam ngritur

nga çdo dhimbje që më dogji mishin,

nga çdo heshtje që më la pa frymë.

Më gjen në rrudhat e një nëne që hesht,

në sytë e një gruaje që s’qan më,

në zemrën që rreh si daulle lufte,

edhe kur bota i thotë: “Mjaft!”

Jam ajo që mbajti botën mbi shpinë

kur i thanë që s’mundet. Dhe prapë mundi.

Me plagë në shpirt, por me gjunjë të fortë,

me duar që ngjisin dashuri në errësirë.

Mijëra gra më thërrasin me emër,

në zërin tim e gjejnë veten e tyre.

Sepse ne jemi ato që nuk thyhen,

Thjesht lulëzojmë mbi dhimbjen që kaluam.

/QendraPress/