Çaste poetike me poeten;-Mimoza Maria AJDHONI

ERA QE SJELL KUJTIME
Era fryn lehtë mbi fushat e heshtura,
prek mendimet e mia, më prek në fytyrë,
me vete ajo sjell zëra të largët,
kujtime që ndizen si dritë në errësirë.
Ajo vjen nga larg, me aromë shiu,
më sjell buzëqeshje, por edhe lot,
me hapa të butë, si kujtime fëmijërie,
dhe zgjon çaste që koha s’i mori dot.
Në çdo fllad, një histori e pathënë,
një prekje që dikur ngrohu zemrën time,
një emër i thirrur në heshtje nate,
dehja e çasteve të para intime.
Era nuk është vetëm ajër që lëviz,
është kujtesa që shpesh të pëshpërit në vesh,
është lidhja mes asaj që ishim dikur
dhe asaj që ende mbajmë brenda nesh.
/QendraPress/