Çaste poetike me poeten:-Valbona HADRI

Durrësi i Bekuar

———————————

Vështroj tej largësive, e mbetur pa fjalë,

Frymimet e mia i ngjajnë mrekullive,

Një botë e tërë, veshur në kristal,

Si reflektim i kaltërsive.

Dallgë që vallëzojnë me njëra-tjetrën,

Ku vallë je fshehur, shpirti im?

Pranë heshtjes tënde deti heshtte,

Dhe unë pranë tij, si një vazhdim.

Nuk shoh askund gjurmë sirenash,

Ato pushojnë në këto orë,

Tek rrënjët e Torrës, nën bedenat,

Një mbret ilir po vë kurorë.

Të falem, det, që je këtu,

Në brigjet tona të lavdisë,

Pikturë e thellë me nuanca blu,

Magji e jetës dhe dashurisë.

Nga lindja fryjnë ca fllade blu,

Përveç meje, zhurmë tjetër s’ndihet,

Kam bërë kaq rrugë për të qenë këtu,

Të flas me brigjet dhe anijet.

/QendraPress/