Çaste poetike me poeten:-Vlora ADEMI

KËSHTU IKIN GRATË

—————————————–

Tue e lanë ndezë nji cigare në tavllën mbi tavolinë.

Afër tavllës, nji letër ngeshëm shkrue gjysmëfaqe,

 me dy gjurmë buzëkuqi në fund të saj,

shenjë e nji largimi plot kreni.

Kështu ikin gratë.

N’kulmin e dashunisë.

Tue i paketue me qetësi nëpër kutitë e këpucëve,

 tana çastet e lumtuna me ty,

ndërsa nën za përshpëritin refrenin e Ejmit:

You always hurt the one you love…

Kështu ikin gratë.

Të papishmane,

Anipse krejt papritë, dy ditë para,

në banakun e Irish Pub-it t’i

 ka afrue buzët tek cepi i veshit

e, me za të ulët, ta ka diftue nji

dëshirë për ma vonë…

Anipse ba t’ka me e humbë

fillin e bisedës darkave me shokë,

sa herë t’asht mbështjellë shputë e

lëmuet e saj nëpër kambë nën tavolinë.

Anipse nji mesnatë ma parë,

 ta ka mbyllë gojën me dorë:

– Shëëëësht!… Nuk due me e ndi për kushedi të satën

herë të njajtën pyetje naive tanden:

– Kah m’erdhe ti, shpirt?…

Kështu ikin gratë.

Të ngopuna prej lumnisë,

Ikin të parrëmujshme.

Nuk shkapërderdhin sirtarë,

as thyejnë vazo nëpër mure,

sikur nëpër telenovelat spanjolle.

Veç veten e marrin me vete,

tjetrën rrëmujë kohës ia lanë në dorë.

Kështu ikim na!

N’kulmin e lumnisë.

Tue mos marrë me vete nga çka kemi dhanë,

por tue e ditë çka mbrapa po lamë.

You’ll never find another me,

I’ll never find another you…

Kështu ikim.

N’kulmin e dashunisë.

Tue e lanë afër tavllës nji letër

ngeshëm shkrue gjysmëfaqe arsyetim,

bashkë me dy gjurmë buzëkuqi n’cigaren e

 ndezun në tavllën mbi tavolinë

/www.QendraPress.com/