Çaste poetike me poetin:-Enver SAHITI

KUR FLET SHPIRTI I POETIT

————————————–

Nuk shesim e as nuk blejmë llafe

Flasim vetëm me muzën tonë

Në vargje e libra shpalosim ndjenjat

Ku aty shkruhet e vërteta gjithmonë.

Asnjë gjë nuk mund të ketë vlerë

Sa frymëzimi kur na vjen

Nga goja, mendja edhe shpirti

Shkruajmë atë që e ndjejmë.

Nuk matet pena me pasuri,

As me lavde që ikin si erë,

Po me plagët që fsheh zemra,

Dhe me fjalën që del e sinqertë.

Kur shpirti ndizet si qiri,

E mendimi kërkon dritë,

Vargu lind pa trokitur fare,

Si burim që del nga thellësitë.

Poeti nuk shkruan për t’u dukur,

As për duartrokitje nëpër sallë,

Ai derdh në letër jetën e vet,

Herë me buzëqeshje, herë me mall.

Ndaj kur lexon një poezi,

Mos kërko vetëm rimë e tingull,

Kërko zemrën që rreh mes fjalësh,

Aty ku ndjenja bëhet e gjallë.

/QendraPress/