Çaste poetike me poetin:-Llesh GJOKA
KRONIKË E HARRUAR
———————————
Jetuam në dy brigje të zhuritura zjarrit
qyshkur e shquam njëri – tjetrin
në pasqyrën e ujërave
sapo puthte rrezja e mëngjesit.
U dergjëm ndanë brigjeve
Si dy shpendë të arratisur
Zërat tonë qiellorë
lumi na i kthente në këngë për vete.
Këngën e tij e përkundi vala
Shushurima mbytej duke ardhur
Ne mbetëm pa tinguj
Dy pika të ndara dukeshim në horizont.
Lumi s’kishte urë
Sepse dashuritë thureshin mënjanë
Namatisje kishte qënë, i plaguar
fati i të dashuruarve.
Në korsenë e ditëve rendëm
Unë në njërin breg
ti në bregun tjetër
Muzgjeve u vagëlluam
U lagëm nga lotët e shelgjeve.
Brigjet paralele kurrë s’u takuan
Veç uji i lumit vajshëm derdhej në det
Diku kronikë e ditëve humbi
Në një tjetër botë
Në një tjetër jetë.
ll@gjoka
/QendraPress.com/