Çaste poetike me poetin;-Llesh GJOKA

FTESË NË AJËR

—————-

Kisha kohë, i pluhurt, në krahët e një stine.

Dylli i fytyrës u bë një markë për ta shitur.

Kolovajza e tundimeve pa krye më degdisi

Poshtë si një pendë e rënë nga bishti i palloit.

Pelerinë e zgjyrtë

Ishte ecja nëpër mjegull.

Kisha kohë që prisja të vareshin retë.

Miqësinë e ndaja me muzgun dhe me yjet.

Vargëzoja fjalë si mërmërimë.

Si shtinjak përplasesha me hijet.

Shikoja pemët kur flinin.

Tash është ndryshe.

Po ndjej shpërthimin e një madërgone.

Yshtem pas erëmimit të bimëve.

Fotostina më shkrepet para sysh.

Pikëloj ndër ngjyra fytyrën tënde.

Ma përtërin ditën buzëqeshja jote e trëndafiltë.

Tash është ndryshe.

Foletë e zogjve mbushen me këngë të reja.

Dherat lulëzojnë ku shkel këmba jote e mëndafshtë.

Me ty, shpirti bëhet ftesë në ajër

Kur kullohen qiejt.

E shoh se po jetoj.

Dalëngadalë po i afrohem tempullit

Ku agjërova dashurinë time

Duke u lutur për ty.

/QendraPress/