Çaste poetike me poetin;-Ramadan RESHITAJ

BIEN TUPANAT NË OPOJË

—————————————–

Po bien tupanat në Opojë,

Jehon mali, zgjohet fusha,

Në Zgatar, vendlindje e lavdisë,

Sot gëzimi ka çelur si trëndafili n’pranverë.

Aty ku lindi Ymer Prizreni,

Burri i mendjes dhe i besës,

Sofra e tij prapë është shtruar,

Për bijtë e shqipes, për fjalën e ndershme.

Kanë ardhur poetë nga troje të largëta,

Me vargje zemre e këngë shqiptarie,

Kanë ardhur krijues me penë të artë,

T’i japin shpirt kësaj feste burrërie.

Burra e gra rreth sofrës mblidhen,

Pleq të urtë e djelmosha të rinj,

Dorë për dore hedhin vallen,

Si dikur stërgjyshërit tanë trima.

Tupanat rrahin fort,

Si zemra që do lirinë.

Këndohet për flamurin kuqezi,

Për historinë që s’u përkul kurrë,

Për dëshmorët që ranë për atdhe,

Për fjalën, nderin dhe burrërinë.

Në çdo varg ndizet një kujtim,

Në çdo këngë rron një amanet,

Se Shqipëria është një në zemër,

Kudo që flitet gjuha e vet.

Po bien tupanat në Opojë,

Dhe mali u bën jehonë këngëve,

Se në Zgatar sot feston kombi,

Nën hijen e Ymer Prizrenit të madh.

Le të jehojë kjo sofër brez pas brezi,

Si dritë që kurrë nuk shuhet në stuhi,

Sepse aty ku bashkohet fjala shqiptare,

Lind përherë krenaria dhe dashuria për liri.

/QendraPress/