E mërkura poetike me poeten:-Rudina Muharremi BEJA

Lisat
————-
Bregu nuk vesh më lisa
Ata i prenë,
i shitën, n’pazare fjalësh…
Krejt dritën që mbartnin,
ia zbehu tehu i egër i një sëpate.
Krejt fjalët që s’thanë
u dëgjuan krismës së një rënie.
Vrerorosem.
Pse njerëzit s’e dinë gjuhën e pemëve
të zogjve,
të flladitjeve,
të shirave,
të gjetheve…
Eh,
gjuha e njerëzve…
/QendraPress/