E VËRTETA NUK GJYKOHET-Shkruan; Gjeneral Hisen BERISHA

Tashmë jemi dëshmitarë të një prej padrejtësive më të mëdha që po i ndodh popullit shqiptar në epokën moderne – gjykimi i padrejtë në Hagë.
Ky proces nuk është më vetëm një çështje ligjore, por është një përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike dhe për ta barazuar viktimën me agresorin. Kjo nuk po bëhet vetëm përmes aktakuzave të fabrikuara dhe ndërtimit të një narrative të falsifikuar, por përmes një strategjie të qëllimshme dhe të rrezikshme, prokuroria ka përdorur dëshmi nga burime tendencioze dhe të motivuara armiqësisht ndaj Kosovës, dëshmitarë të manipuluar, të pavërtetë dhe shpesh edhe me probleme mendore. Sido qoftë, organi i akuzës në Hagë, e përmbylli sagën e dëgjimit të dëshmitarëve dhe dëshmive të tyre për mbështetje të akuzave të pretenduara nga Prokuroria në Hagë. Tani është radha e Trupit Gjykues të marr vendimin dhe e Trupës së Mbrojtësve që ti kundërshtojnë me argumente pretendimet e akuzës ndaj palëve.
Për më tepër, vetë figura qendrore e organit të akuzës, prokurori Jack Smith, është një emër që bart mbi vete një histori të gjatë kontestimesh dhe skandalesh në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare dhe amerikane.
Është ironi e rëndë që një figurë e tillë të ndërtojë aktakuza ndaj një lufte çlirimtare, ndërsa ai vetë është nën hijen e akuzave për veprime të njëanshme, të motivuara politikisht dhe me integritet profesional të dyshimtë të faktuara nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane.
Si mund të quhet drejtësi një proces që ndërtohet mbi dëshmi të manipuluara dhe udhëhiqet nga një njeri që vetë përfaqëson krizën e drejtësisë?
Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj individëve që janë në bankën e të akuzuarve, por është sulm ndaj gjithë sakrificës sonë si popull, ndaj idealit të lirisë, ndaj të drejtës për vetëmbrojtje kundër shtypjes dhe gjenocidit.
Përballë kësaj padrejtësie në emër të drejtësisë, duhet të jemi të përgatitur, duhet të jemi në mbështetje të Trupës Mbrojtëse në Hagë, populli në Kosovë në tërësinë e tij institucionale.
Duhet të flasim me një zë, të veprojmë me një vullnet, dhe të qëndrojmë me një bindje të palëkundur: se e vërteta nuk poshtërohet, dhe drejtësia nuk blihet.
Kjo situatë padrejtësie, duhet të vërë në veprim institucional ligjor e kushtetues shtetin; kërkon intensifikim të veprimit diplomatik me aleatët; popullin që të bëjë presionin në rrugë e sheshe për të mbrojtur identitetin historik nga padrejtësia e një drejtësie që i është mbivendosur Kuvendit e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Për ketë kauzë do ta kemi dhe duhet ta kërkojmë edhe mbështetjen e popujve që janë përballur me Hagën pas luftërave çlirimtare, si Kroacia e cila më herët ofroj gatishmërinë për ti pranuar të mbajturit në Dhomat Speciale në Hagë që të mbrohen në liri në një shtet të tretë, në ketë rast në Kroaci.
Për ta hequr njëherë e mirë mjegullnajën që ka krijuar ky mekanizëm i komprometuar në Hagë, duhet të kërkojmë publikimin e të gjitha dëshmive të dhëna në këtë proces, fakteve mbi të cilat po mbështeten akuza në proces, në mënyrë që opinioni të kuptojë të vërtetën e plotë dhe të shohë me sytë e vet manipulimin e qëllimshëm që po ndodh.
Secilit dëshmitar që ka njollosur luftën e UÇK-së me dëshmi të rreme, duhet t’i hiqet menjëherë statusi i dëshmitarit të mbrojtur dhe të ndiqet penalisht për mashtrim dhe dëshmi të rreme, siç e kërkon çdo standard elementar i drejtësisë ndërkombëtare.
Kjo nuk është vetëm çështje ligjore por është një çështje e nderit kombëtar.
Historia nuk do të na falë nëse heshtim sot.
E vërteta jonë kërkon zë.
Liria jonë kërkon mbrojtje.
Nesër është vonë!