Fryma poetike  e së dielës me poeten;-Flora PECI

NUK JAM PERFEKTE

________________________________–

Nuk jam e gdhendur prej mermeri,

era s’më mban mbi supe si puhizë.

Jam shtrëngatë e ndjenjave të mia,

një vullkan që hesht dhe ndizet papritmas.

Nuk jam e latuar si diamant,

kam skaje të mprehta, plagë të fshehura.

Jam një yll që ndonjëherë shuhet,

sërish ringjallet në agimet e shpirtit.

Nuk jam pëlhurë që era e lëkund,

jam lis që rrënjët i ngul thellë.

Jam dallgë që përplaset në shkëmb,

por kurrë s’tretet në harresë.

Nuk jam përrallë me fund të lumtur,

as tragjedi e pashpresë.

Jam vetvetja, një melodi e papërsosur,

që tingëllon fort në zemrën e jetës.

/QendraPress/