Fryma poetike e së dielës me poeten;- Margarita Llapushi ZENELI

Poeti përballë botës

——————————

Menduar rri një poet,

e ka zënë një siklet,

s’di ç’të hedh sot në fletë,

fantazi apo të vërtetë.

Të vërtetën kur e shkroi,

askush nuk e besoi,

mori vlerësime e komplimente,

por asgjë të mirë për vete.

Kur shkroi pak imagjinatë,

ca u nxinë e u bënë natë,

ca të tjerë e kuptuan,

një “BRAVO” të madhe shkruan.

Eh… kur fantazoi poeti,

u bombardua i shkreti,

poezinë si gunë ia veshën,

pas krahëve e tallën, qeshën.

Dhe kur për dhimbjen shkroi,

“Ou…” thanë, “ky s’mbaroi”,

poezia do metaforë,

jo gjithmonë me lot në dorë.

Kur qëndisi dashurinë,

disa brenda saj u shkrinë,

të tjerë e patën zili,

që s’mbetej kurrë pa dashuri.

Varg të lirë dhe me rima,

me ngjyra si vetë stina,

shkroi prozë e tundi këngë,

zgjoi zemra, nxori gjëmbë.

Nuk ka limit një poet,

është i lirë, fluturon vetë,

s’ka nevojë për sugjerime,

shpirtin e hedh në shkrime.

Vargje e këngë ju t’i shijoni,

kurrë në jetë mos gjykoni,

zëri i poetit jeni ju vetë,

qoftë gënjeshtër a e vërtetë.

/QendraPress/