Fryma poetike e së dielës me poetin;-Gëzim AJGERAJ

FËMIJËT, DRITA QË MBAN BOTËN

———————————————–

Në sytë e tyre lind agimi i ri,

si yje që zbresin mbi dhe me magji,

por bota shpesh u jep stuhi në udhë,

kur duhej t’u falte veç paqe e dritë, lumturi

Ata janë pranvera që s’di të gënjejë,

fara e së nesërmes që tokën e mbjellë,

por shumë prej tyre në heshtje kërkojnë

një botë ku ëndrrat të mos u rrënojnë.

Diku lodrat mbulohen me pluhur lufte,

diku zërat e vegjël humbasin në vuajtje,

e ndërsa njerëzimi prek yjet në qiell,

një fëmijë pa bukë ende fle me një mall,

Kjo e sotmja kohë një pyetje na lë,

si mund të ketë dritë kur errësira s’fle?

Ç’vlerë ka qytetërimi, ç’vlerë ka lavdia,

kur lotin i fëmijës, e shkelë historia

Familja është porti ku shpirti pushon,

ku fjala dashuri në zemër gufon,

e shkolla një dritare nga ku mendja shikon

se dituria botën më mirë e ndërton.

Mos ua thyeni krahët kur duan të fluturojnë,

mos ua zbehni yjet kur duan të ëndërrojnë,

se çdo buzëqeshje që sot u dhuroni,

në paqen e nesërme do ta takoni.

Prandaj në këtë ditë që fëmijët festojnë,

le të jemi zëri që të drejtat mbrojnë,

sepse bota nuk mbahet nga gurë e kufij,

por nga zemrat e pastra që rritin liri.

/QendraPress/