Fryma poetike e së dielës me poetin:-Rexhep F. MORINA

PARAROJA

(Heroit të kombit Luan Haradinaj,rënë në luftë me 06.05.1997)

———————————–

Ecte në ditët me dritë, dhe netëve të errëta,

Nëpër lugje të thella dhe brigje të pjerrëta.

Ishte në ballë të kolonës, udhërrëfyesi trim,

Donte cakun të arrij, kish vetëm një qëllim.

Për t’çarë stuhinë e kohës, terrin e robërisë,

Me dritën flakëruese që sjell krisma e lirisë,

Agsholi ndriçues nisi të shfaq rrezet e para,

Kundër mjegullës gri, për agimet e bardha.

Shtigjeve të bjeshkës se ndalte marshimin,

Prijatar i vendosur ish, që se njihte kthimin.

Befas i përshkon gurët një pamje e zjarrtë,

Shtien pushkët njëherësh me fishekët flakë,

Luftëtarët armët nuk i lëshojnë prej dorës,

Krismat buçasin si sokëllima e shqiponjës.

Nuk tundet asnjëri, në luftime bëjnë gajret,

Pa ofshamë rrëqethëse, pa thënë ah,medet!

Ata që morën plagë, pyesin, cili trim na ra?

Ai që shkreptinte zjarr mbi armiqtë pa nda.

Sa herë me hov ndizte plumba pushka e tij,

Veç hasmin e qëllonte për të shtrenjtën liri.

Dëgjohen krismat, dhe lugina fort jehonte,

Përballë pritës me armiq në këmbë luftonte.

Qëndronte si shkëmb në mes shkëmbinjve,

Të fshinte mbi atdhe gurët e vijat e kufijve.

Ai qe forcë e guximit, e luftës ish shpresa,

Ishte betimi e fjala e dhënë, ishte vet besa.

Ai ish pararojë që i printe shokëve në ballë,

Luftëtar mes luftëtarësh e burrave të rrallë,

Atje te “Qafa e Mullarit” n’kreshtat e malit,

Ndalet zemra djalit, hesht arma flamurtarit.

Çasti i rënies epike, rrëfehet si një legjendë,

Vëllai e bart në shpinë, hedh hapin e rëndë.

Ndien vetëm peshën e shpirtit të rënë për liri,

Brenda e djeg prush dhembja për vëllanë e tij.

E ngre trupin si pushkë, në betejën çlirimtare,

Të viganit hero, emblemën e luftës fitimtare.

/QendraPress/