Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Majlinda PAJAJ

Emigranti

——————–

Emigranti kur një ditë heshtur largohet,

merr me vete jo vetëm sytë e lotuar,

por edhe një shpirt që fshehur drithërohet

dhe një zemër që qan pa pushuar.

Në valixhen e tij ka ëndrra të plakura,

në shpirt një diell që kërkon të rilind,

mendimi udhëton si këmbë të zbathura,

që veten me lumturinë e ardhme ta bind.

E kthehet më pas shpesh në kujtime,

i vrarë si një dre përjetë në agoni,

i mbetur në rrënjët që s’duken veç në agime,

se netëve lëngon me psherëtima e dashuri.

Dhe kur malli e mbulon si një re e vrenjtur,

në varret e të parëve shkon me mendim,

aq sa nuk vëren kurrë sytë e tij të enjtur,

se shpesh i duket vetja, thjesht një jetim.

MAJL

NEW YORK 11/04/2025

/QendraPress/