Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Manushaqe Hoxha LAÇI

Familja, rrënjë që s’shkulen kurrë

———————————————

Në stuhitë e jetës, kur fryn erë e fortë

Kur shpresat lëkunden në ditët e ftohta

Drita që të mban gjallë, të jep shpirt e forcë

Është familja, rrënja që s’shkulet nga toka

Dhe pse koha ikën, kurrë gjaku s’ndryshon

Është diçka hyjnore që na mban mbështjell

Dallgë të tërbuara, stuhi e ngrica sfidon

Ku paqja lulëzon në çdo stinë që e mbjell

Aty ku dita rrezaton e nata të buzëqesh

Ku aroma e bukës ngroh në çdo kujtim

Ku rritet dhe lulëzon dashuria pa interes

Familja është streha ku gjen prehje e gëzim

Koha mund të fryjë si erë e tërbuar

Por rrënjët e thella s’i shkul asnjë stuhi

Se familja është vendi ku ndihesh i bekuar

Është emër i shenjtë, gdhendur në përjetësi

/QendraPress/