Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Ramije UKAJ

VJESHTA NË PRIZREN

———————————

Mëngjesi i mjegullt i vjeshtës

I zbardhi rrugët e heshtura

Lumëbardhi me valët e tij

I rrokullis kujtimet e fjetura

Kujtimet treten bashkë me fletë

Lehtas shpërndahen nëpër gurë

Ura e gurit mban mbi supe

Hapat e kohës që s’lodhen kurrë

Te Shatërvani aroma e gështenjave

Ngroh erën e ftohtë të vjeshtës

Dhe sytë e fëmijëve ende kërkojnë

Aromën e ëmbël të pjeshkës

Prizreni me këngët që jehojnë

Nga Çarshia vijnë si freski

Të bukura si një libër i hapur

Ku çdo fletë është mall e poezi.

/QendraPress/