Grenell: Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në, ishte kundër çdo ideje të propozuar nga amerikanët
Richard Grenell, i dërguari special i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, duke e quajtur atë jo të besueshëm dhe duke hedhur poshtë pretendimet e tij për afërsi me SHBA-në.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Grenell iu drejtua qytetarëve të Kosovës përmes platformës X, duke thënë se Kurti po mashtron publikun.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqe në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria e Kurtit nuk ishte e tillë as gjatë mandatit të Trump, as gjatë mandatit të Biden-it. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprimet e tij të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po këtë mendim e kanë edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit,” shkroi Grenell.
Ai vuri në dukje se kompanitë amerikane po investojnë në Shqipëri dhe Serbi, por po anashkalojnë Kosovën për shkak të politikave të Kurtit. “Kurti ka qenë kundër çdo ideje të propozuar nga SHBA-ja, pavarësisht nëse ka qenë në pushtet Clinton, Bush, Obama, Biden apo Trump,” shtoi Grenell.
“Retorika e Kurtit tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe se qeveria e tij është më e mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni,” përfundoi ai. Këto deklarata vijnë në një moment kritik të fushatës zgjedhore, duke nxitur debate të reja rreth politikave ndërkombëtare të Kurtit dhe marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në.
Grenell, i cili ka luajtur një rol kyç në marrëdhëniet e SHBA-së me Ballkanin, vazhdon të jetë një zë i fuqishëm në diskutimet për të ardhmen e rajonit.