Greva në arsim “në derë të qeverisë së re”, Jasharaj: Nuk tolerojmë të injorohemi.

          Kryesindikalisti i Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar vonesën e formimit të qeverisë, duke theksuar se kjo po përkeqëson situatën për punëtorët e sektorit publik dhe ata privat.

Në një intervistë theksoi se mungesa e qeverisë dhe e dialogut ka shtuar problemet për sindikatat dhe punëtorët, pasi kërkesat e tyre, përfshirë ato të sindikatës së arsimit, kanë mbetur të pa adresuara gjatë qeverisjes së kaluar.

Jasharaj theksoi nevojën për një qeveri që e kupton rëndësinë e dialogut dhe angazhohet për të realizuar kërkesat e sindikatave.

Jasharaj theksoi se është më e lehtë për sindikatat të arrijnë marrëveshje kur qeveria përbëhet nga dy ose më shumë subjekte politike, pasi kjo i detyron partitë të jenë më të kujdesshme dhe të angazhohen për dialog.

“Çdo herë më lehtë është të debatohet dhe të arrihet marrëveshje kur formohet qeveria prej dy ose më shumë subjekteve politike ngase sindikatat më lehtë nëse kanë përplasje me një subjekt që është në qeveri angazhohet që nga subjekti tjetër të gjejë ndonjë njeri që është më i mirë kuptueshëm. Qeveritë që janë dy ose më shumë subjekte janë më të kujdesshme kurse është parë tek ne kur një parti fiton bindshëm dhe e ka qeverinë dhe parlamentin vet sillet me kryeneçësia dhe nuk ka prirje për dialog. Të kemi një qeveri të Kosovës më dy ose më shumë subjekte politike por të kemi një qeveri kur ulet në kolltuk e dinë që e ka votën e popullit dhe ta arsyetojë atë”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se, nëse kërkesat vazhdojnë të injorohen, mund të ketë protesta e greva.

“Nëse nuk ndodh kjo do të ketë prapë telashe dhe përplasje dhe nuk mund të përjashtohet se mund të vinë deri në momentet ku anëtarësia jonë mund të kërkojë veprime sindikale të cilat nuk i dëshirojmë por nëse vazhdohet të injorohet kërkesat e punëtorëve më së keqi mund të ketë edhe protesta e greva”, tha kryetari i SBASHK-ut.