Ish-komandanti i KFOR-it: S’ka rrezik sa i përket sigurisë në Kosovë, trupat e NATO-s janë në gatishmëri për çdo gjë

                         Ish-komandanti i KFOR-t, gjenerali Erhard Bühler ka folur rreth rrezikut për një konflikt të mundshëm në Ballkan.Bühler ka thënë se nuk sheh rrezik për një skenar të tillë, shkruan Reporteri.net.“Jo nuk kam frikë dhe nuk shoh ndonjë rrezik akut për një skenar të këtillë. Por ju me të drejtë përmendët shumë probleme dhe çështje të hapura, të cilat ende ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst edhe unë kam shqetësimet e mia se si do të zhvillohen gjërat në shtigje afatmesme dhe afatgjata, në veçanti tani nga perspektiva e krizës në Ukrainë dhe shtimit të influencës së disa shteteve të jashtme në këtë rajon”, ka thënë ai në një intervistë për DW.

Bühler i cili ka qenë për një kohë të gjatë në misione të ndryshme në Ballkan, ka thënë se në Kosovë sheh entuziazëm të madhe për BE-në, por në anën tjetër nuk është përmbushur premtimi i dhënë për liberalizimin e vizave.

“Me Ballkanin Perëndimor unë merrem gati aq kohë sa janë dhënë edhe premtimet e para. Shpesh kam qenë në misione të ndryshme atje dhe pikërisht kjo është përshtypja ime. Të marrim shembull Kosovën: Përfaqësuesit evropianë kanë ardhur e shkuar dhe gjithmonë kanë dhënë premtime. Është premtuar edhe liberalizimi i vizave, e kur flasim për liberalizimin e vizave duhet ta dimë se kjo nuk nënkupton lirinë e qasjes në tregun e punës, por vetëm lirinë e lëvizjes për tre muaj në territorin e BE, ndërsa pas tre muajve ata duhet të largohen prapë. Liberalizimi i vizave është pra vetëm hapi i parë i cili është bërë me shumë e shumë shtete të tjera, por jo me Kosovën. Në Kosovë dhe në vendet e tjera shoh një entuziazëm të madh për BE, në veçanti tek gjeneratat e reja. Por mosveprimi mund të kthehet si bumerang ndaj kësaj ideje. Kjo mund të shtojë zhgënjimin dhe forcimin e nacionalizmave në këto vende, e që mund të rezultojë me shpërthimin e konflikteve latente dhe të ngrira”, ka theksuar ish-komandanti i KFOR-it

I pyetur se sa janë reale janë kërkesat e Kosovës për afrim dhe anëtarësim në NATO, Bühler ka thënë se kjo është një rrugë e gjatë dhe varet nga transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimi i saj drejt një ushtrie, që parashikohet edhe me ligjet e Kosovë.

Ai ka shtuar se duhet të kryhen edhe shumë punë në rrafshin strategjik.

“Kjo është një rrugë e gjatë dhe varet nga trasnformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimi i saj drejt një ushtrie, që parashikohet edhe me ligjet e Kosovës. Këtu duhet të kryhen edhe shumë punë në rrafshin strategjik.

Sa i përket FSK-së, ajo është shndërruar në një trupë të shkëlqyeshme, por ajo duhet të vendoset në bazat e duhura koncepcionale, të ketë strategjinë e duhur ushtarake dhe të bëhet kompatibël me forcat e NATO-s. Këtu duhet të bëhen edhe disa hapa të tjerë, në radhë të parë sa i përket funksionimit multilateral. Por mendoj se Kosova shpejt do të mund të integrohej në programin Partneritet për Paqe. Por edhe këtu problemi kryesor është që me këtë vendim duhet të dakordohen të gjitha vendet anëtare, pra edhe katër vendet e NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe këtu kërkohet një angazhim më i madh për të bindur këto vende se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor dhe i Kosovës në NATO është në interesin tonë strategjik”, ka thënë ai.

Bühler tutje ka thënë se nuk sheh ndonjë rrezik sa i përket situatës së sigurisë në Kosovë.

“Unë nuk shoh rrezik të ndonjë sulmi nga jashtë. KFOR-iështë garant për këtë e pas KFOR-it qëndron NATO-ja. Trupat e KFOR-it janë zvogëluar shumë kohët e fundit. Kështu edhe duhet, sepse nuk ka nevojë që atje të qëndrojnë mijëra e mijëra ushtarë të NATO-s. Kjo nuk do të ishte mirë as për imazhin e Kosovës, e nuk do të ishte në përputhje as me gjendjen aktuale të sigurisë atje. Por në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, trupat e NATO-s janë të gatshme për ta evituar këtë”, është shprehur ai. /Reporteri.net