Eurodeputeti bullgar: Kosova është vendi më besnik i BE-së, qytetarët meritojnë liberalizimin e vizave

                  Eurodeputeti bullgar Ilhan Kyuchyuk gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Europian, dje kur u miratua rezoluta për Kosovën, ka argumentuar pse qytetarët e saj meritojnë që t’iu hiqen vizat. “Kosova është ndër vendet e rajonit ku procesi i integrimit në BE gëzon mbështetje të fuqishme nga qytetarët dhe të gjithë aktorët politikë. Pa asnjë dyshim Kosova është një nga vendet partnere më të përkushtuara dhe më besnike ndaj BE-së dhe prapë qytetarët e saj meritojnë liberalizimin e vizave”, tha ai. Kyuchyuk tha se ky vendim është i rëndësishëm për BE-në për shkak të lidhjes strategjike që ka me Kosovën, duke potencuar se rinia e Kosovës është potencial dhe e meriton lëvizjen e lirë.