Kështu folën çakejt-Shkruan;Gëzim Ajgeraj,shkrimtar dhe analistë

Monolog mbi Errësirën e Politikës
“Kur fjalët nuk mbajnë kurrgjë, mbajnë vetëm vetën e tyre – dhe kjo është shenja e parë e greminës.”
Zëri i humbur në portën e historisë
Ishte një kohë, dhe koha kurrë nuk pushon së qeni, kur fjala ishte shpirt. Kur ai që merrte fjalën para turmës e merrte si besim, si detyrë, si peshë mbi shpinë të ndërgjegjes. Filozofi i lashtë e dinte: logos nuk ishte thjesht thënje, por të qenit i asaj që thuhet. Hermesin e quanin lajmëtar ndërmjet botëve, jo sepse fluturonte, por sepse çdo fjalë e tij lidhte tokën me qiellin, të dukshmen me të padukshmen, realitetin me emrin e tij të vërtetë.
Por çfarë ndodh kur lajmëtari tradhëton mesazhin? Çfarë ndodh kur urës i thyhet shtylla, jo nga rrjedha e ujit, por nga dora e vetë ndërtuesit?
Sot, mbi hapësira të banuara nga trashëgimia e lashtë pellazgo-ilire, ato treva ku malet flasin me gjuhën e akullnajave dhe fushat mbajnë memorien e fëmijërisë së qytetërimit, politika ka marrë formën e një teatri antik pa katarsis. Aktori hyn në skenë, mban maskën, reciton tekstin e mësuar, por kori ka heshtur. Kori, ai zëri i popullit i lashtë i teatrit, ka heshtur jo nga zgjedhja, por nga lodhja.
Ontologjia e Çakut: Qenia pa thelb
Filozofia hermetike na mëson se çdo gjë e dukshme ka një homolog të padukshëm. Çdo formë ka substancën e vet shpirtërore. “Si lart, ashtu edhe poshtë” – ky aksion i Tabelës Smaragdike nuk është vetëm kozmologji, është edhe antropologji politike. Lidershipi i vërtetë është i tillë sepse pasqyron diçka më të lartë: drejtësinë, mençurinë, shërbimin ndaj kolektivit.
Por çfarë pasqyron lidershipi kur ka humbur lidhjen me substancën? Çfarë mbetet nga forma pa thelb? Mbetet vetëm shfaqja, dhe shfaqja, kur ushqehet me vetveten, kthehet në karikaturë. Çakejt, ata figura politike të cilët kanë zëvendësuar bindjen me binjakëzimin, vizionin me vizitën ceremoniale, principin me privilegjin, janë pikërisht ky fenomen: forma pa substancë, enë pa ujë, lëkurë pa mish.
Aristoteli dallonte midis njeriut politik si zoo politikan, – kafshë shoqërore me aftësi logjike dhe etike, dhe njeriut si instrument të pushtetit. I pari ndërtonte polin, të dytin e shfrytëzonte. Kur dallimi mes tyre fshihet, kur çakësia bëhet sistem e jo anomali, atëherë poli shpërbëhet. Jo me zhurmë. Me heshtje. Me largim të ulët, të pandërgjegjshëm, të paprovuar të kuptimit.
Hermetika e pushtetit: Alkimia e rreme
Alkimistët e lashtë kërkonin transmutacionin, shndërrimin e metaleve të zakonshme në ar. Por ata dinin diçka që politika bashkëkohore e këtyre trojeve ka harruar: transmutacioni i vërtetë fillon nga brenda. Nuk ekziston lapis philosophorum i jashtëm nëse kimisti nuk ka pastruar natyrën e vet. “Solve et coagula” – shpërbëj e pastaj ripërbëj, ishte urdhri i mençurisë, jo i pushtetit.
Politika e ktyre hapësirave ka praktikuar të kundërtën: ka imituar alkiminë duke shpërbërë besimin e popullit pa e rikoaguluar kurrë. Ka marrë ar shoqëror, energjinë kolektive, aspiratën për drejtësi, dëshirën e brendshme të qytetarit për dinjitet, dhe e ka shndërruar në plumb institucional. Kjo është alkimia e rreme: jo transmutacion, por degjenerim i fshehur nën simbole triumfi.
Paracelsusi thoshte se ilaçi dhe helmi ndryshojnë vetëm nga doza. Premtimi politik është i tillë: i mjaftueshëm e bëhet frymëzim; i tepërt e i paplotësueshëm bëhet helm kronik. Shoqëritë e këtyre trojeve kanë jetuar me dozimin e gabuar për dekada të tëra, jo aq shumë sa të vdesin nga akutet, por sa të mpsihen ngadalë, të humbasin ndjeshmërinë, të humbasin aftësinë për të dalluar ilaçin nga helmi.
DialeKtika e kundërthënieve: Labirinti pa ari-adn-ë
Hegeli na mësoi se historia ecën me kontradiktën, teza shtron, antiteza kundërshton, sinteza ngrihet mbi të dyja. Ky është motori i progresit njerëzor. Por çfarë ndodh kur kontradiktat nuk prodhojnë sintezë? Çfarë ndodh kur teza dhe antiteza bashkëjetojnë pafundësisht, jo në tension kreativ, por në konfort reciprok?
Ky është paradoksi qendror i politikës së trevave shqiptare: ajo duket si luftë, por është simbiozë. Duket si debat, por është koreografi. Dy pole të kundërta, të cilët sipas logjikës dialektike duhet të prodhonin diçka të tretë, një realitet të ri, një zgjidhje të re, një nivel tjetër qytetarimi, kanë zgjedhur përkundrazi të trashëgojnë njëri-tjetrin, të ushqehen njëri me tjetrin, të justifikohen reciprokisht. Opozita nuk ka kuptim pa pushtetin, dhe pushteti frikohet nga opozita e vërtetë, prandaj e zëvendëson me imitacionin e saj.
Labirinti i Kretës ishte i tmerrshëm jo sepse nuk kishte rrugëdalje, por sepse rrugëdalja kërkonte fillm dhe filli kërkonte besim. Thesi u besua Ari-adn-ës. Politika e këtyre trojeve ka prerë fillin. Ka prerë besimin qytetar me sëpatën e korrupsionit, ka prerë fillimin e reformës me thikën e interesit, ka prerë rrugëdaljen me murin e konsensusit mes atyre që pretendohen armiq, por ndajnë të njëjtin karrige muzikale, të njëjtin pushtet tregtar, të njëjtat dyert e mbyllura.
Kanti fliste për imperativin kategorik: vepro vetëm sipas asaj maksime përmes së cilës mund të dëshirosh njëkohësisht që ajo të bëhet ligj universal. Por ç’ligj universal prodhon maksima e çakut? “Siguro veten, pastaj gënje me elegancë.” Nëse kjo bëhet ligj universal, shoqëria nuk funksionon, colapson. Dhe pikërisht ky kolaps është ai i heshtur, i ngadaltë, demografikisht i dukshëm, madje i matshëm, që ka po ndodh.
Gnosticizmi i margjinalitetit: Drita që nuk arrin tokën
Gnostikët e lashtë besonin se drita hyjnore kishte rënë brenda materies si scintillae, shkëndija, të fshehura dhe të bllokuara brenda botës materiale. Detyra e shpirtit ishte t’i gjente këto shkëndija dhe t’i lironte. Pleroma, plotësia, ishte larg, por jo e paarritshme.
Populli i trojeve shqiptare mban scintilla (shkëndija). Çdo brez ka prodhuar mendimtarë, artistë, luftëtarë idesh, ndërtues me duar bosh por me vizion të pasur. Potenciali kolektiv nuk është pyetja, ai ekziston, i provuar historikisht, i shprehur kulturalisht, i dëshiruar ekzistencialisht. Pyetja është arkontët, ata zotës të ndërmjetëm gnostikë, të cilët sipas mitit mbanin shpirtat larg Pleromës. Arkontët (sundimtar) e politikës nuk lejojnë ascensionin. Nuk e lejojnë jo domosdoshmërisht nga ligësia absolute, por nga struktura e vet ekzistencës së tyre: ata janë arkontë pikërisht sepse ky sistem u shkon.
Ç’do të thotë kjo hermetikisht? Do të thotë se problemi nuk është personal, nuk është individual, nuk është çështje karakteri të këtij apo atij figurini. Është çështje sistemi vibracional: sistemi vibrues me frekuencën e mbijetesës, të interesit të ngushtë, të frikës reciproke, dhe kjo frekuencë nuk lejon toneun e lartë të shtetndërtimit, të besimit institucional, të vizionit afatgjatë. Është si të kërkosh Beethoven-in nga vegël e akorduar në gjysmëton.
Dhe kur scintilla nuk gjejnë rrugë lart, ato ikin. Jo si metaforë por si shembull letrarë: Trenët, avionët, anijet, sporadët e scintillave drejt vendeve ku sistemi vibrues u lejon ndriçimin. Migrimi nuk është vetëm fenomen ekonomik. Është fenomen kozmologjik: drita kërkon hapësirën ku mund të lëvizë.
Aksologjia e greminës: Mbi vlerat e humbura
Spinoza argumentonte se çdo gjë tenton të ruajë të qenit e vet, *conatus sese conservandi. Shteti, si trup kolektiv, ka conatus-in e vet: tenton të ruajë rendin, sigurinë, prosperitetin, kuptimin e bashkëjetesës. Kur pushteti shkel këtë conatus kolektiv në favor të conatus-it individual, kur institucioni shërbën veten, jo trupin, atëherë shteti fillon të humbasë ekuilibrin e vet ontologjik.
Por ka diçka edhe më të thellë se Spinoza: Simone Weil fliste për *enracinement – rrënjosjen; si nevojën themelore shpirtërore dhe politike të njeriut. Njeriu ka nevojë të jetë i rrënjosur, në vend, në traditë, në komunitet, në kuptim. Çrrënjosja është plagë shpirtërore para se të jetë plagë sociale. Politikat e këtyre trojeve kanë prodhuar çrrënjosje sistematike: jo vetëm duke shtyrë njerëzit fizikisht jashtë vendit, por duke i larguar shpirtërisht nga vetë ideja e angazhimit kolektiv.
Kur qytetari nuk beson, ai bëhet spektator. Kur spektatori lodhet, ai bëhet i huaj. Kur i huaji nuk ka ku të shkojë, ai bëhet fantazmë, prezent por jo i pranishëm, i numërueshëm por jo i llogaritshëm, votues por jo vendimmarrës. Ky dehumanizim subtil i rolit qytetar nuk ndodh me dekretin, ndodh me pakicën e besimit, me shijen e zhgënjimit, me akumulimin e premtimeve të paplotësuara deri sa pesha e tyre bëhet tolerancë pasive.
Platoni dhe shpella me shumë ekrane
Miti i Shpellës platonike ka ndryshuar formë, por jo thelb. Njerëzit e lidhur shihnin hije në mur dhe i merrnin për realitet. Çlirimi kërkonte kthimin e kokës, dhimbshëm, ngadaltë, drejt dritës.
Sot shpella ka ekrane, shumëfishim i hijeve, industrializim i iluzionit. Politika e trevave ka mësuar të jetojë mirë me industrinë e hijeve. Ka prodhuar narrativa paralele, ka shtuar ekrane mbi ekrane, ka shumëzuar zëra që tingëllojnë si debate, por janë monolog i shumëfishuar. Platoni do të ankohej jo sepse shpella mbeti, por sepse u bë komode: nuk ka zinxhirë, ka komoditet. Hijet janë koloriste. Prodhimi i tyre është profesionalizuar.
Dhe Sokrati, ai njeriu i cili bënte pyetje, ai do të ishte çmendur jo nga hemlogu, por nga algoritmi i bllokimit. Pyetja sokratike nënkupton paqëndrueshmëri: destabilizon sigurin e hijeve. Sistemi, çdo sistem i bazuar mbi hije, ka mekanizma mbrojtëse ndaj pyetjes autentike. Jo gjithmonë burgim, shpesh indiferencë, injorim, tallje, margjinalizim.
Kairos dhe Kronos: Koha e humbur
Grekët kishin dy koncepte për kohën: Kronos; koha lineare, e matshme, e pamëshirshme dhe Kairos; momenti i përshtatshëm, koha e kualitetit, hapja e mundësisë. Historia e Ballkanit ka njohur disa Kairos; momente kur ndryshimi i thellë ishte i mundshëm, kur energjia kolektive arrinte kulmin, kur historia mbante frymën para se të vendoste.
Këto Kairos janë lënë pa u kapur. Jo nga fataliteti, fatalizmi është mëkati filozofik i atyre që nuk duan të pranojnë agjencinë e tyre. Por nga zgjedhja: zgjedhja e atyre që mbanin çelësin e Kairos-it dhe preferuan ta bllokonin portën për t’u garantuar rolin e rojës. Ruajtja e portës është më fitimprurëse se hapja e saj, ky është aksioma e tacita e çakërisë politike.
Tani Kronos ecën. Demografisht, ekonomikisht, gjeopolitikisht, koha lineare nuk pret. Dhe çdo Kairos i humbur bëhet barrë shtesë për Kairos-in e ardhshëm: ky duhet të mbajë edhe peshën e atij të mëparshëm. Brezat e rinj trashëgojnë jo vetëm problemet e pazgjidhura, por edhe skepticizmin e akumuluar, çrënjosjen e thellësuar, mosbesimin e kristalizuar.
Dhe megjithatë, hermetika e mëson: as Kronos nuk është absolut. Edhe koha lineare ka sinkronin e saj, siç do të thoshte Jung. Edhe brenda errësirës, scintillae bie. Edhe brenda sistemit, individi mban dritën.
Mbi mundësinë e zgjimit
Zarathustra i Niçes zbriti nga mali jo për të predikuar, por për të dhuruar. Dhe kur nuk u mirëprit, ai u kthye lart, jo nga disfata, por nga kuptimi se dhurimi kërkon marrës të gatshëm. Zgjimi nuk mund të importohet; mund të ofrohet.
Shqiptarësia, kjo kategori kulturore, gjuhësore, historike, e cila tejkalon kufinjtë politikë dhe funksionon si identitet shpirtëror transterritorial, ka rezervat e veta heretike të ndriçimit. Ka mendimtarë, artistë, intelektualë, qytetarë të zakonshëm me ndërgjegje të pakapur nga sistemi. Ata nuk janë shumicë, por kurrë nuk kanë qenë shumica ata që ndezin zjarret e historisë. Prometeu ishte i vetëm kur vodhi flakën.
Kundërtheniet politike pa rezultat, ato loje të mire-studiuara të pushtetit të cilat mbajnë popullin në spektatoret e stadiumit ndërkohë që ndeshja është vendosur paraprakisht, nuk janë fenomen i pashmangshëm. Janë produkt i zgjedhjeve njerëzore. Dhe ç’prodhohet nga njeriu, mund të rindërtohet nga njeriu.
Por rindërtimi nuk fillon nga lart, filozofia hermetike është e qartë: transformimi fillon nga brenda, shpërhapet nga poshtë, risemantifikon gjithçka që prek. Lapis philosophorum nuk bie nga qielli; nxirret nga argjila e brendshme përmes procesit të gjatë, të dhimbshëm, të lartësimit.
Kështu folën çakejt, me zhurmë dhe pa kuptim, me vizion dhe pa vizion, me fjalë të mëdha mbi parimet që vetë i shkelën. Por edhe kështu flet historia: gjithmonë ka qenë e mbushur me çakej. Dhe gjithmonë, pas mjaftueshmërisë së errësirës, ka ardhur dikush, i thjeshtë, i papritur, i rrënjosur, i cili ka folur ndryshe.
Pyetja nuk është nëse do të vijë. Pyetja është: sa Kairos duhet të humbasim para se ta njohim kur të vijë?
2026