Këta janë emrat e zyrtarëve të shkarkuar nga MPJD-ja

                     Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, sot ka shkarkuar 11 zyrtarë të shërbimit të jashtëm, ka njoftuar kjo ministri të mërkurën, transmeton Reporteri.net. Disa prej emrave të të shkarkuarve janë: Blerim Canaj, Adnan Dragaj, Flurim Gashi, Enver Buqaj, Shota Bukoshi, Bahrije Hoti, Mit’hat Fejza, Petrit Hajdari, Adnan Jakupi dhe Rrahim Morina.Sipas njoftimit, vendimi është marrë në “vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”. “Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, ka njoftuar MPJD-ja sot.