Koha për monitorim ndërkombëtar të pavarur – që drejtësia të mos shndërrohet në padrejtësi –Gjeneral;-Hisen BERISHA

         Dhomat e Specializuara në Hagë, të krijuara në emër të drejtësisë, sot po funksionojnë në një hije të trashë të dyshimeve për mungesë balanci, selektivitet dhe përjashtim të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Aty nuk po gjykohen vetëm individë – aty po vendoset edhe narracioni për luftën çlirimtare të një populli, për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Liderët politikë e ushtarakë të UÇK-së, që përfaqësojnë vetë zërin e shtetësisë së Kosovës, po trajtohen me standarde të dyfishta, në një proces që gjithnjë e më shumë po e humb legjitimitetin moral dhe juridik. Heshtja e institucioneve vendore, mungesa e presionit diplomatik, dhe indiferenca ndaj mënyrës se si po drejtohet kjo gjykatë, kanë krijuar një klimë frikësimi dhe diskreditimi të qëllimshëm të së kaluarës sonë kolektive. Për më tepër, duhet theksuar çështja kontraverse e këtij gjykimi, se e drejta në pavarësinë e Kosovës, që është fituar me luftë me armë për liri, me luftë politike dhe diplomatike, është konfirmuar po ashtu, edhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas kontestimit që ka provuar t’ia bëjë Serbia. Prandaj, çdo përpjekje për ta gjykuar këtë të drejtë përmes përfaqësuesve të saj politikë dhe ushtarakë, është në thelb një përpjekje për ta rivlerësuar historinë nga një pozitë e rrezikshme e padrejtësisë. Për këtë arsye, **është urgjente dhe e domosdoshme që proceset në Hagë të vendosen nën një **monitorim të rreptë ndërkombëtar, me përfshirjen e juristëve të pavarur, ekspertëve të drejtës ndërkombëtare, përfaqësuesve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe institucioneve evropiane, që të garantohet drejtësi reale – jo hakmarrje e maskuar si drejtësi. Çfarë po ndodh sot në Hagë nuk është një gjykim teknik, por një betejë politike për të rishkruar historinë e Kosovës. Kjo nuk mund të lihet në heshtje. Të gjithë ata që flasin për shtet të së drejtës, duhet të flasin tani – për të mos u bërë bashkëfajtorë në një padrejtësi të ndërtuar mbi heshtje. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Monitorimi ndërkombëtar është hapi i parë për të shpëtuar atë pak besim që ka mbetur./QendraPress/