Ligji i Dialektikës dhe kthimi në normalitetin politik në Kosovë/-Shkruan: Ruzhdi GASHI,avokat

Proceset demokratike po e detyrojnë politikën kosovare të përshtatet me realitetin e pakthyeshëm të shtetit dhe të demokracisë.
Ligji i Dialektikës nuk vepron vetëm në natyrë – në gur, në dru apo në çdo qenie të gjallë – por edhe në shoqëri dhe në politikë. Ky ligj i zhvillimit dhe ndryshimit të pandalshëm po vërehet qartë edhe në jetën demokratike e shtetërore të Republikës së Kosovës.
Edhe pse nëpër sfida e kriza të herëpashershme, Kosova po kalon një fazë të dukshme të kthimit drejt normalitetit demokratik, duke dëshmuar se Republika e Kosovës është një arrë e fortë për kundërshtarët dhe armiqtë e saj.
Zgjedhjet si dëshmi e pjekurisë politike
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të datës 9 nëntor 2025 tregoi qartë se shoqëria kosovare po rritet politikisht.
Populli, përmes votës së lirë, po e dëshmon se e kupton drejtësinë e proceseve demokratike dhe e ndien përgjegjësinë ndaj shtetit të vet.
Edhe ato forca politike që dikur shfaqnin injorancë apo iluzione për ta zhbërë Republikën, po detyrohen nën trysninë e realitetit dhe të vullnetit qytetar të kthehen në rrugën e ligjit dhe demokracisë.
Politika e detyruar të pranojë realitetin
Nën ndikimin e Ligjit të Dialektikës dhe të zhvillimeve shoqërore, edhe pjesa e politikës që mohoi vlerat çlirimtare dhe shtetformuese të Kosovës, po e kupton se mohimi dhe sabotimi nuk mund të ndërtojnë të ardhme.
Këto forca, sado të ngurta e të përçarë, po e pranojnë ngadalë por sigurt se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm historik dhe politik, dhe se respektimi i ligjit, institucioneve dhe demokracisë është rruga e vetme për të ecur përpara.
Shtetndërtimi dhe bashkëjetesa – drejtim i padiskutueshëm
Zgjedhjet treguan se Kosova po ecën në rrugën e shtetndërtimit të qëndrueshëm, me forcim të institucioneve dhe të demokracisë funksionale.
Shqiptarët dhe komunitetet tjera që jetojnë në këtë vend po dëshmojnë vullnet për bashkëjetesë, integrime dhe stabilitet politik, ekonomik e shoqëror, duke ndjekur orientimin euroatlantik dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
Mesazhi përfundimtar: historia nuk fal
Iluzionet dhe ekstremizmat politikë që ecin kundër rrjedhës së zhvillimit, janë të dënuar të dështojnë.
Në natyrë dhe në shoqëri, çdo forcë që shkon kundër ligjeve të zhvillimit dhe kundër drejtimit të frymës, shkatërrohet vetvetiu.
Prandaj, kushdo që sot vepron kundër Republikës së Kosovës, kundër UÇK-së dhe miqve tanë ndërkombëtarë, duhet ta dijë se historia mund të vonojë, por nuk harron – dhe drejtësia gjithmonë arrin.
Me 10 nëntor 2025
K o s o v ë/QendraPress/