Myftiu Tërnava uron besimtarët për Kurban Bajram

                  Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.“Me këtë rast, në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitëm lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit.“Mesazhet e festës së Kurban-Bajramit janë devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti, vlera këto që shprehen si nga haxhilerët që gjenden në Qabe për të kryer haxhin, po ashtu edhe nga besimtarët myslimanë që gjenden gjithandej nëpër shtëpitë dhe familjet e tyre. Lutjet, ibadetet, devotshmëria, përkushtimi e sakrifica që e karakterizojnë Kurban-Bajramin, me të gjitha ritualet e tjera, përfshirë edhe haxhin dhe kurbanin si dimensionet kryesore të kësaj feste, krijojnë një reflektim shpirtëror, që besimtarin e fisnikërojnë edhe më shumë, e bëjnë më human dhe më të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë, sepse që të gjitha këto bëhen me emër dhe për hir të Zotit, tek i Cili arrin vetëm qëllimi dhe nijeti ynë i mirë pas obligimit që kemi”.