Nga letra e NATO-s tek Asociacioni me statut të BE, ku qëndron Tradhtia?-Shkruan;Hisen Berisha Deputet i Kosovës
Në vitin 2013, një letër e NATO-s i drejtohej Kryeministrit të atëhershëm, z. Hashim Thaçi, dhe Ministrit të Mbrojtjes, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk mund të operonte në veri pa koordinim me KFOR-in. Në atë kohë, FSK ishte një forcë me kapacitete të kufizuara, e fokusuar kryesisht në mbrojtjen civile dhe aspak e përgatitur për të garantuar integritetin territorial të vendit. Respektimi i kësaj urdhërese nuk ishte dobësi, por një garanci sigurie për Kosovën, në një kontekst ku nevojat për mbrojtje reale përmbusheshin nga prania e NATO-s. Në dhjetor të vitit 2024, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës dërgoi një letër zotimi komandantit të KFOR-it, duke riafirmuar se FSK nuk do të vendosej në veri pa koordinim dhe pa lejen e NATO-s. Statusi operacional i FSK-së mbetet ende në zhvillim, me projektin për shndërrimin në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) ende në proces. Faza e dytë e këtij transformimi nuk është përmbushur plotësisht, pasi Kosova ka dështuar deri tani të certifikojë Kapacitetet Fillestare Operacionale (KFO) për shkak të përjashtimit nga ushtrimet e NATO-s. Për më tepër, mungesa e rezultateve në Defender ‘23 dhe rreziku i përjashtimit nga Defender ‘25 vjen si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme, populiste dhe të paplanifikuara nga ana operacionale dhe logjistike. Në këtë kontekst, pyesim: Cili është “tradhtari” sipas logjikës së Vetëvendosjes dhe të Kryeministrit Kurti? Përgjigja është e thjeshtë: asnjëri. Sepse statusi operacional i forcave mbetet i njëjtë dhe garancia për sigurinë e Kosovës vazhdon të jetë NATO. Akuzat për “tradhti” këtu nuk janë veçse manipulime politike për të justifikuar dështimet dhe mungesën e rezultateve konkrete në fuqizimin e ushtrisë së Kosovës. Nga ana tjetër, është ironike dhe alarmante fakti që liderët e institucioneve kryesore të shtetit – presidentja, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit – kanë nënshkruar një zotim për të zbatuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një mekanizëm që krijon një entitet autonom, politikisht dhe territorialisht paralel me shtetin e Kosovës. Statuti i propozuar i jep këtij asociacioni kompetenca të pavarura që e lidhin atë më shumë me Rezolutën 1244 sesa me Kushtetutën e Kosovës. Ky asociacion, nëse implementohet sipas modelit të propozuar, do të jetë një goditje e rëndë ndaj sovranitetit të Kosovës. Tani shtrohet pyetja e vërtetë: Cili është tradhtari këtu? A është tradhti të kërkosh koordinim me NATO-n për të ruajtur sigurinë kombëtare? Apo tradhtia qëndron në nënshkrimin e një marrëveshjeje që minon sovranitetin e shtetit dhe krijon një strukturë të brendshme që i subordinohet një rezolute ndërkombëtare e jo Kushtetutës së Kosovës? Në analizën ushtarake dhe shtetërore, tradhtia e vërtetë është përdorimi i improvizimeve populiste, dështimi në fuqizimin real të institucioneve të sigurisë dhe nënshtrimi ndaj agjendave që dobësojnë themelet e shtetit tonë./www.QendraPress.com/