Pavarësi për Sanxhakun

                     Kombi shqiptar ka humbur shumë pjesë fizike të tij gjatë aksidenteve të historisë. Por, gjithashtu në kohërat e reja demokratike, që kanë ardhur në Ballkan e në Evropë, është detyra e shtetit dhe e kombit për korrigjimin e këtyre aksidenteve. Një rast klasik është ai i shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi, i cili deri para 100 vitesh ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës dhe pjesa më e madhe e popullsisë ka qenë shqiptare. Gjatë mbi 100 viteve të pushtimit serb popullsia autoktone shqiptare u shkul me dhunë nga vatrat e veta. E çkombëtarizuan atë pjesë që mbeti, duke e detyruar të harrojë gjuhën dhe të boshnjakëzohet me zor dhe sot statistikat serbe japin shifrën e pavërtetë prej 0,2 për qind shqiptarë në Sanxhak. Shifra reale është shumëfish më e madhe dhe spekulimi statistikor serb vjen nga fakti se shqiptarët e Sanxhakut, të terrorizuar nga dhuna e pushtetit gjatë mbi 100 viteve, nuk guxojnë të thonë se janë shqiptarë dhe i kanë detyruar të regjistrohen si boshnjakë. Çështja e popullsisë shqiptare të Sanxhakut nxjerr detyrën e madhe të shtetit të Shqipërisë për t’u interesuar dhe për të mbrojtur pakicën shqiptare në Sanxhak. Shqipëria në marrëdhëniet e saj diplomatike me Serbinë ka plotësisht të drejtën ligjore në bazë të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, që të interesohet për fatin dhe të drejtat e pakicës shqiptare në Sanxhak. Serbia është shtet kandidat për në BE dhe ka hapur edhe bisedimet për traktatin e pranimit me BE. Ajo ka detyrimin ligjor të zbatimit të kritereve të anëtarësimit, ku në radhë të parë hyn trajtimi i barabartë i pakicave dhe dhënia e të drejtave të plota dhe të statusit të pakicave, e ndër to edhe pakicës shqiptare në Sanxhak.Kjo do të thotë që diplomacia dhe shteti shqiptar ta shtrojnë si pjesë të rendit të ditës në bisedimet e tyre zyrtare me Serbinë çështjen e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të jetë edhe një nga provat për të dëshmuar Serbia se sa demokratike është, për të dëshmuar gatishmërinë e vërtetë për të zhvilluar marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe me Shqipërinë.Shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë të pranishëm në Sanxhak, të takojnë njerëzit, të ngrenë kurse të gjuhës shqipe, të ndihmojnë me abetare dhe libra, me filma dhe video, me veprimtari kulturore e artistike nga Shqipëria dhe me gjithfarë mjetesh informacioni për të nxjerrë në dritë dhe për të legalizuar identitetin e tyre kombëtar. Televizionet shqiptare bëjnë mirë që dërgojnë ekipe në Ukrainë, Azerbajxhan apo Afganistan, për të qëmtuar komunitetet e harruara shqiptare, por edhe më urgjente të qëmtojnë në Sanxhak pakicën e heshtur shqiptare, që nuk është shpërngulur nga trojet e veta. Sanksionimi i së drejtës së pakicës shqiptare në Saxhak për statusin e pakicës don të jetë një provë e maturisë së Serbisë për anëtarësim në BE. Sidomos është tregues i seriozitetit të saj për të ndërtuar marrëdhënie të vërteta miqësore dhe bashkëpunimi me Shqipërinë. Në drejtim të mbrojtjes dhe sanksionimit të të drejtave të pakicës shqiptare në Sanxhak nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj ngurrimi apo kompleksi. Shqipëria vetë është treguar aq dorëlëshuar, saqë ka lejuar situatën që diplomacia serbe dhe institucionet e specializuara serbe të livadhisin si në shtëpi të vet në Shqipëri dhe të shkëpusin arbitrarisht një grup boshnjakësh myslimanë nga “Shoqata e Boshnjakëve” të ardhur në Shqipëri si muhaxhirë në luftërat ballkanike dhe të shpikin një të ashtuquajtur pakicë myslimane serbe në mes të Shqipërisë. Natyrisht, ky absurditet i të ashtuquajturës pakicë myslimane serbe u realizua edhe nëpërmjet implikimit të lobit serb në Tiranë.marrë/nga fb/