Policët nga Prizreni dhurojnë gjak, i bashkohen aksionit “Dhuro gjak, shpëto jetë”

                           Zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren i janë bashkuar aktivitetit vullnetar për dhurimin e gjakut, të organizuar nën moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”.

Sipas Policisë së Kosovës, një numër i konsiderueshëm i policëve morën pjesë vullnetarisht në këtë aksion, duke dëshmuar përkushtimin dhe solidaritetin e tyre ndaj qytetarëve.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, si dhe në stacione të tjera policore, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

“Ky aktivitet tashmë është bërë i rregullt dhe organizohet disa herë brenda vitit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, dhurimi i gjakut është shndërruar në një traditë të mirëpritur, e cila kontribuon drejtpërdrejt në sigurimin e gjakut për qytetarët në nevojë.

“Dhurimi i gjakut është një akt humanitar që ndihmon qytetarët në nevojë”, thekson Policia e Kosovës, duke i ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen aktiviteteve të tilla humanitare.

Aksione të tilla synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut dhe solidaritetit në komunitet.