Presidenti i Kroacisë bën thirrje në OKB për njohjen e Kosovës

                          Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, gjatë fjalimit të tij nga sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje publike për njohje të Kosovës shtet.  Milanoviç është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për ngecjet në dialogun me Serbinë. Ai ka bërë thirrje për normalizim të raporteve mes dy vendeve duke u fokusuar në zbatim të Marrëveshjes Bazë, shkruan Reporteri.net. “Ne jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dëshirojmë të inkurajojmë masat për de-përshkallëzimin e tensioneve. Në mënyrë të ngjashme, këto dy vende duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i kryejnë ato dhe të fillojnë të zbatojnë atë që ishte rënë dakord këtë vit në Bruksel dhe Ohër”, tha Milanoviç, në Asamblenë e OKB-së. Tutje, presidenti kroat kërkoi që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim edhe në strukturat euroatlantike pasi tha se stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor është në interes të të gjithëve. “Ne vazhdojmë të mbrojmë njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për ekzistencë si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve. Është në interesin tonë të promovojmë stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij rajoni, si dhe procesin e integrimit evropian, i cili besojmë se mbetet vendimtar për prosperitetin e ardhshëm të fqinjëve tanë dhe për të cilin shpresojmë se do të ekzaltohet në vitet e ardhshme”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.